Menaxhimi i diabetit gjatë muajve të verës

Përgatiti: T. Hoxha


Secili i gëzohet orëve të zgjatura të ditës për t’iu kënaqur aktiviteteve në natyrë gjatë muajve të verës. Vera poshtu është koha për fluturime me avionë, anije apo veturë. Për ata që jetojnë me diabet, muajt e verës mund të paraqesin rrezik shëndetësor nëse nuk janë të kujdesshëm. Lagështia dhe temperaturat e larta mund të ndikojnë negativisht në funksionimin normal të gjëndrave të djersës, duke u pamundësuar personave me diabet ta ulin temperaturën e trupit. Bartni kapelë që ua mbron kokën dhe fytyrën nga djegiet e diellit, përveç se që ju freskon. Ka mjaft kapela moderne në treg që mund t’iu përshtaten garderobës suaj verore.

Personat me diabet lehtë mund të dehidrohen për shkak të nivelit të sheqerit mbi normalen. Mbrojeni veten nga dehidrimi dhe pasojat e temperaturave të larta, duke ndjekur këto këshilla:

  • Shtoni konsumimin e ujit dhe lëngjeve të tjera
  • Mos pini pije të gazuara apo çajëra që përmbajnë shumë sheqer
  • Mos konsumoni pije alkoolike sepse ato shkaktojnë humbjen e lëngjeve
  • Pini më pak kafe sepse ajo mund ta ngrisë nivelin e sheqerit
  • Konsumoni sa më tepër fruta, perime dhe sallata të freskëta meqenëse këto ushqime përmbajnë përqindje të lartë të ujit, vitaminave dhe mineraleve
  • Mos bëni ushtrime gjatë periudhës më të ngrohtë të ditës. Bëni ushtrime në ndërtesat që kanë kondicioner ajri ose atëherë kur është më freskët
  • Keni parasysh se barnat siç është Metoformini (Glucophage), e rrisin rrezikun e dehidrimit

Shenjat paralajmëruese

Nëse vëreni simptome jo të rëndomta si pasojë e aktiviteteve verore, ju mund t’ju mundojë lodhja nga temperaturat e larta ose dehidrimi. Disa nga shenjat që duhet përcjellë janë:

  • Ndieni të përziera
  • Keni marramendje
  • Djersitje e shtuar
  • Ngërçe të muskujve
  • Tharje buzësh
  • Lëkurë e ftohtë
  • Rrahje e përshpejtuar zemre
  • Kokëdhembje
  • Urinim i pakësuar
  • Etje
  • Urinë që është e verdhë e mbyllët gjatë gjithë ditës
  • Konfuzion apo humbje e orientimit

Këshilla për udhëtim

Nëse do të niseni për rrugë, merrni me vete barna në sasi të mjaftueshme. Për të qenë krejt të sigurtë, merrni pak më shumë se ç’ju duhet normalisht. Merrni pak më shumë ushqime të lehta me vete, në mënyrë që të mos ju bie niveli i sheqerit gjatë vonesave në trafik. Mbajini barnat në vend të ftohtë dhe të errët. Mos ia ekspozoni barnat dritës direkte të diellit dhe as mos i lini në vend ku ka temperatura tepër të larta siç është dollapi i veturës (kroskoti). Nëse jeni duke udhëtuar me aeroplan, në çdo 1-2 orë duhet të lëvizni nga vendi në mënyrë që ta rritni qarkullimin e gjakut dhe uljen e rrezikut të mpiksjes së gjakut. Mateni nivelin e sheqerit 3-4 herë në ditë. Çdo ndryshim në klimë, ushqim apo zonë kohore mund të ndikojë në nivelin e sheqerit.

Tregohuni të zgjuar – mbrojini këmbët tuaja

Personat me diabet kurrë nuk duhet të ecin këmbëzbathur, qoftë edhe brenda shtëpisë.  Kontrolloni këmbët çdo ditë për të parë nëse eventuaisht ka ulcera, fluska apo infekcione këpurdhore. Mbajini këmbët të thata gjithë kohën. Nëse mbani çorape dhe ato lagen nga djersitja, ndërrojini menjëherë. Neuropatitë diabetike e ulin ndieshmërinë e këmbëve, duke e vështirësuar kështu detektimin e problemeve. Ecja këmbëzbathur nëpër sipërfaqe të nxehta siç janë rrugët, vendkalimet, kuvertat e anijeve apo rëra e plazhit mund të shkaktojë djegie të rënda dhe infeksione.  Mbani sandale të mbyllura për plazh gjithë kohën dhe kontrolloni nëse në brendi të tyre kanë ngelur copëra gurësh, rërë,  etj.

Mbani në mend: ju mund të shkoni në pushime, por diabeti kurrë jo!

(Ky tekst lejohet të botohet në Web faqet/gazetat/revistat tjera, me kusht që të ceket burimi: http://www.diabeti.info)

Leave a comment