Diabeti: ndërlikimet e tij

Rrallë ndonjë sëmundje tjetër ne dukje kaq “e butë” krijon ndërlikime kaq të shumta e të rënda sa diabeti. Rrallë ndonjë sëmundje tjetër sa ai arrin të prekë e të dëmtojë aq heshturazi e ngadalë thuajse të gjitha organet kryesore te trupit pa perjashtim dhe sidomos enët e gjakut duke krijuar aksidente kaq dramatike e madje tragjike . Çudia është se vetem pak te semure me diabet e dinë këtë të vërtetë dhe akoma më të paktë janë ata që e besojnë.Diabeti arrin mjaft shpesh t’i mashtrojë viktimat e tij. Si, në ç’mënyrë?

Së pari: Prej mos dijes, mosnjohjes se tij ! Shumë të sëmurë nuk e dinë që diabeti krijon ndërlikime. Nuk i njohin ato, madje dhe kur vuajnë prej tyre, nuk u shkon mendja t’i lidhin me te

Së dyti: gënjehen nga forma apo paraqitja e “ bute “ e diabetit. Ata kujtojnë se vetëm diabeti i “rëndë” “ai që mjekohet me insulinë” është i rrezikshëm, kurse diabeti “i lehtë” pa shenja, me glicemi jo shumë të lartë (që mjekohet me dietë ose kokrra) është jo i dëmshëm”.Të sëmurët gënjehen nga heshtja e diabetit. Për vite me radhë ai rri i fshehur pa dhënë shenja e shqetësime të dukshme. Kur nje dite papritur shfaqet ndërlikimi apo aksidenti, të sëmurët befasohen, por as që mund të besojnë se ai ka lidhje me diabetin e fshehur e “të urtë” që ata as janë kujtuar ndonjeher ta mjekojnë.

A duhet t’i njohin të sëmurët ndërlikimet e diabetit? A duhet t’u flasim hapur për to? A nuk ka rrezik t’u krijojmë kështu ankth e shqetësim më të madh?
Po le ta bëjmë pyetjen ndryshe: A duhet t’u shpjegojmë fëmijëve që s’dinë ç’është zjarri, si të mbrohen prej tij, apo më mirë, nga ndrojtja se mos i trembim , t’i lemë të digjen?! Sigurisht është më mirë të flasim hapur, pa fshehur gjë, pa “dorashka”, për dy arsye:

E para, sëmundjen e vuani ju. Ndërlikimet, aksidentet, i vuani ju. Atëherë, a është e drejtë që pikërisht ju të mos dini ç’po ndodh e ç’do të ndodhë në trupin tuaj?

Së dyti, ndërlikimet vërtet duken si të frikshme, por në të vërtetë ato janë të gjitha të parandalueshme. “Kthetra” kryesore e diabetit është hiperglicemia. Sot ne i kemi të gjitha mjetet në dorë për ta mposhtur atë, i kemi të gjitha mundësitë që diabetin, sado “i egër” të jetë, ta ekuilibrojmë, “ta kyçim në kafaz”. Një e keqe që mund të parandalohet nuk ka pse të na krijojë frikë. E rëndësishme është të mësojmë si të luftojmë me kohë ndaj saj, si të mposhtim e ta mbajmë të shtypur. Por pikërisht kjo nuk mund të bëhet nga një i sëmurë që nuk di pse mjekohet, që nuk di rreziqet e vërteta të sëmundjes.

Duke i folur hapur për t’u mbrojtur nga një e keqe që parandalohet, besoj se jo vetëm s’krijojmë ankth, por, përkundrazi, e bëjmë atë optimist, e bëjmë bashkëpunëtor në luftën kundër sëmundjes.

Le të shohim, pra rreziqet reale të diabetit. Të njohim ç’pasoja krijohen kur diabeti nuk mjekohet mirë, apo më keq akoma, kur nuk mjekohet fare.Diabeti i pamjekuar ose i mjekuar keq krijon në mënyrë të sigurt ndërlikime. Ato janë të shumëllojshme. Sipas kohës së shfaqjes mund të ndahen në ndërlikime të mprehta (akute, urgjente të shpejta), të cilat do t’i përshkruajmë pas kapitullit të mjekimit, dhe në ndërlikime të largëta, apo të ngadalshme, të cilat mund të grupohen në tri kategori të ndryshme, si më poshtë:

1. Ndërlikime që shfaqen në enët e imta të gjakut, në kapilarët e arteriet me kalibër shumë të vogël.
2. Ndërlikime aterosklerotike në enët e gjakut me kalibër të madh.
3. Infeksione e dëmtime në inde e organe të ndryshme të organizmit.

1. Ndërlikimet që krijohen nga dëmtimet e kapilarëve të gjakut dhe arterieve të vogla.

Janë më karakteristike e më tipiket për diabetin. Ato shfaqen zakonisht 3-10 vjet pas fillimit të tij, por vetëm në ato raste kur mjekimi nuk është bërë në mënyrë të kujdesshme e të vazhdueshme. Sa më i vjetër të jetë diabeti, sa më shumë vjet të jetë i semuri me hiperglicemi, sa më e lartë të jetë niveli i saj pra sa më i çrregulluar të jetë diabeti, aq më të shpeshta , me te përhapura e më të rënda do të jenë këto dëmtime. Preket e dëmtohet sidomos i tere rrjeti kapilar, i cili është i përhapur në të gjitha pjesët sado të vogla të organizmit, në të gjitha organet, duke shkaktuar çrregullime në funksionin e tyre.

Nderlikimet ne sy, te pamjes :Së pari, këto dëmtime shfaqen e vërehen në kapilarët brenda syrit, pikërisht në ate shtrese të tij që quhet retinë. Kjo është një cipë shumë e hollë në fund të syrit që luan rolin vendimtar për shikimin e fotografimin e objekteve. Kapilarët e retinës, nën ndikimin e hiperglicemisë kronike shumëvjeçare, deformohen, mbyllen, çahen, lëshojnë brenda në sy lëngje dhe hemorragji, të cilat cenojne retinën e dëmtojnë pamjen, deri në verbim të plotë.

Ky ndërlikim quhet RETINOPATIA DIABETIKE dhe është ndër ndërlikimet më të hershme e më të shpeshta të tij. Fatmirësisht ai nuk zhvillohet për një ditë dhe as për një vit. Duhen vite të tëra që retina të arrijë të prishet e të humbasë pamjen. Zbulimi i dëmtimeve fillestare që quhen mikroaneurizma arrihet me një kontroll fare të thjeshtë të fundit të syrit nga mjeku okulist. (Kujdes, kjo është shenja e parë e alarmit, akoma nuk është vonë). Një mikroaneunizëm sado fillestare, dëshmon se diabeti ka të paktën 5-10 vjet që është lëne pas dore e nuk është mjekuar siç duhet. Eshtë koha që gjithçka mund të ndreqet.( Të lihen mënjanë “trimëritë” e moskokëçarjet, të mendohet për sytë e ballit.)

I vetmi “ilaç”. per të mjekuar retinopatinë sidomos në fazat e fillimit, është mjekimi korrekt e shembullor i diabetit, normalizimi me fanatizëm i glicemisë.
Po nuk u bë kjo, sytë janë në “dorë të fatit” (Dhe fati, e le diabetin të veprojë si të dojë).

Ne se pamja fillon të dëmtohet dhe retinopatia ka filluar të përparojë në formë me të rëndë,zakonisht të sëmurët kujtohen atëherë të kërkojnë “derman” nga okulisti. Ata kërkojnë dhe pijnë me zell lloj lloj kokrrash, përdorin pika dhe pomada, disa dhe mjekohen me rrezet lazër. Natyrisht çdo gjë do të tentohet. Është fjala për sytë. Por asnjë nga këto mjekime nuk bën mrekullira. Me gjithë përmirësimet që arrihen, asnjë s’e zëvendëson mrekullinë e vërtetë që bën mjekimi i mirë e i vazhdueshëm i diabetit. Të shumta janë rastet në praktikën tonë kur ka mjaftuar vetëm kjo masë, vetëm ky mjekim që të ndalë retinopatinë e madje dhe ta bëjë të tërhiqet e të përmirësohet.

Por ka raste që disa të sëmurë, edhe kur u shfaqen mikroaneurizmat dhe e marrin vesh që u kanë filluar dëmtimet në sy, në vend të mobilizohen për një mjekim më të mire të diabetit, vazhdojnë të neglizhojnë. Kjo sepse fazat e para të retinopatisë mund të mos cenojnë akoma pamjen dhe pikërisht kjo i mashtron e i ve në gjumë të sëmurët. Ata as që e imagjinojnë se ç’do të vijë me pas. Por sëmundja e diabetit as fle dhe as nënvleftëson. Faktet dhe shifrat flasin qartë. Ato tregojnë se diabeti është sot për sot shkaktari kryesor i verbimeve të plota te njerëzit e rritur.

Mbrojtja e syve nga dëmtimet e diabetit eshte e arritshme. Duhet per kete mjekimi korrekt dhe i vazhdueshëm i diabetit dhe kontrolli i syve te okulistët specialist të paktën një ose dy herë në vit. Të sëmurët tek të cilët tashmë retinopatia është shfaqur duhet të kontrollohen edhe më shpesh. Përveç mjekimit të mirë të diabetit, ata duhet të kenë kujdes të mos përdorin asnjë ilaç të rekomanduar për arsye të tjera pa u konsultuar me mjekun diabetolog. Të sëmurët që kanë shenja hemorragjie në retinë duhet, përveç diabetit, të kontrollojnë vazhdimisht tensionin arterial, ta mbajnë atë gjithmonë në shifra normale e po qe i lartë të përdorin patjetër mjekim të vazhdueshëm për ta ulur e normalizuar. Ata duhet të kenë kujdes të mos përdorin pa pyetur mjekun ilaçe të tilla si aspirina e të tjera, që shtojnë hemorragjinë e po kështu të kenë kujdes të mënjanojnë shtrëngimet gjatë të dalurit jashtë, kollitjen e fortë, teshtimat që mund të rëndojnë hemorragjinë. Duhet patur parasysh se jo te gjithe okulistet kane inters profesional dhe jane njesoj mire te stervitur per te pare dhe ndjekur siç duhet ndryshimet retinale te diabetit . Mire eshte qe i njejti okulist i zgjedhur ta ndjeke dinamiken e ndryshime ne menyre periodike nga vitit ne vit dhe te krijoje lidhje e bashkepunim me mjekun qe kuron diabetin e te semurit.

Nga ana tjeter mjeti mjaft efektiv qe fatmiresisht kemi ne dore per ti mbrojtur e mjekuar te semuret me retinopati diabetike relativisht te avancuar prej verbimit eshte aparati i posaçem me rreze Lazer .Ky lloj mjekimi fillohet ne stade dhe forma te caktuara te retinopatise sidomos ne formen e quajtur Retinopathia profiferative dhe te cilat percaktohen nga specialisti perkates okulist ne bashkepunim me mjekun diabetolog.

Ne raste te tilla perpara gjendja e retines brenda syrit fotografohet me ane te injektimit te nje lende fluoreshente e cila i ben demtimet te dukshme me qarte .Me pas zakonisht procedohet duke djegur me disa seanca ne intervale kohe midis tyre pjese pjese vendet e demtuara ose te gjithe retinen per te shpetuar te paprekur nga demtimet” zonen kryesore ate te “njolles se verdhe “ e cila praktikisht realizon rreth 90 % te shikimit .

Mjekimi me rreze Lazer kryhet prej disa vjetesh edhe ne vendin tione , madje tani tek ne jane shtuar e veprojne edhe klinika private te specializuara enkas per kete qellim .

Duhet patur parasysh që përveç dëmtimeve të kapilarëve retinalë diabeti mund të krijojë në sy dhe ndërlikime të tjera, si infeksione, rritje të presionit brenda syrit (glaukoma) dhe sidomos zhvillimin që në moshë të re të perdes (kataraktit). Veç ketyre tek te semuret me diabet mund te ndodhin turbullime dhe deri humbje te papritura te pamjes. Por ato jane kalimtare jo nga retinopatia por te lidhura me luhatjet e medha e te befta ditore te nivelit te glicemise.

Edhe këto ndërlikime janë pasojë e mosmjekimit dhe e ekuilibrit të keq të diabetit, pasojë e hiperglicemisë së pamjekuar ose të lënë pas dore. Korrigjimi i tyre kërkon domosdo ekuilibrim sa më të mirë të diabetit dhe bashkëpunimin e ngushtë midis mjekut okulist dhe diabetolog Nderlikimet ne veshka :Një dëmtim i të njëjtës natyrë si ne sy zhvillohet paralelisht ne veshkat . Ne to behet filtrimi i vazhdueshëm i gjakut. Me anë të këtij filtrimi organizmi eleminon e flak jashtë ne urine ,tërë helmet, mbeturinat e “skorjet” që nxjerrin “makineritë” qelizore gjatë punës së tyre.Veshka permban miliona struktura te tilla filtrimi qe quhen glomerula e qe jane lemshe te vegjel kapilaresh teper te holle ku kryhet filtrimi . Veshka ka dhe funksione te tjera. Ajo rregullon nivelin e duhur te ujit dhe te kriprave minerale te domosdoshme per per trupin dhe prodhon disa hormone( lende nxitese ) te rendesishme per funksionet e tjera te organizmit Diabeti si pasoje e hiperglicemise te vazhdueshme per nje kohe te gjate dhjetra vjeçare mund te demtohen kapilaret e holle te glomerulave dhe keshtu pengohet filtrimi dhe funksionimi i veshkës në tërësi.

Ky ndërlikim quhet NEFROPATIA DIABETIKE.

Nefropatia, sidomos në fazat e përparuara të saj, kur thuajse bllokohet filtrimi është një ndër ndërlikimet më të rënda e tragjike të diabetit, sepse kërcënon vete jetën e të sëmurit. Per fat te keq me gjithe progresin ne mjekimin e diabetit ky komplikacion dramatik vazhdon te mbetet mjaft i shpeshte. Rreth 60 milion te semure me diabet numurohen ne bote te prekur nga nefropatia Megjithate ky ndërlikim shfaqet jo menjëherë, madje eshte me i ngadaltë dhe shfaqet më me vonesë se retinopatia. Edhe ne te nuk mungojnë sinjalet paralajmëruese. Vetë fillimi i retinopatisë është sinjal i pare alarmi që dëshmon se procesi i dëmtimit të kapilarëve tashmë ka filluar dhe asgjë s’garanton që ai nuk do te preke e shtrihet edhe ne kapilarët e veshkave. Ne këtë faze te pare te hershme avancimi mund të parandalohet me efikasitet thjesht me mjekimin e saktë të diabetit. Por të sëmurët vete fatkeqësisht nuk ndiejnë asgje ç’po ndodh në kapilarët. Dëmtimi që zhvillohet në ta nuk “dhëmb” (Një dhëmballë e prishur mbase do t’i shqetësonte më shumë!).

Prandaj jo rralle procesi përparon derisa shfaqet një sinjal i dytë. Ky sinjal vjen tashme nga veshkat e dëmtuara: në urinë shfaqet mikroalbumina. Ky eshte nje fraksion i vogel i albumines ne urine ( nen 200 mg ne 24 ore )qe nuk zbulohet dot me testet e zakonshem rutine te analizes se urines por kerkon nje reagent te posaçem (Njerëzit normalisht nuk kanë albuminë në analizen e urinës).

Është akoma koha kur keqësimi i mëtejshëm i gjendjes mund të pengohet vetëm me një masë të thjeshtë, ekuilibrimin e mirë e të qëndrueshëm të diabetit dhe me luftimin e disa faktoreve te tjere rendues te tille si duhani , dhe sidomos normalizimi i tensionit te larte te gjakut.

Rritja e presionit të gjakut që shfaqet qe ne fazat e para kërkon kufizimin e rrepte te kripës në ushqim dhe mjekim të veçantë e energjik. kundra tensionit Përndryshe ai ndikon nga ana e tij për të rënduar dhe më shumë ecurinë e ndërlikimit.

Ata të sëmurë që mjekohen në mënyrë të rregullt i kanë të gjitha mundësitë ta frenojnë e ta ndalojnë deri këtu procesin. Përkundrazi ata që bëjnë mjekim të çrregullt dhe formal shkojnë drejt shfaqjes së edemave (enjtjes), dëmtimeve të rënda të funksionit të veshkave, me rritje të shifrave të azotemisë dhe kreatinemisë. te cilat kerkojne domosdoshmerisht mjekim te specializuar , te nderlikuar e teper te shtrenjte deri me perdorimin e aparateve te dializes se veshkave dhe transplantimin e tyre .Sidoqofte duhet thene se ndonese teknikisht e mundshme dializa nuk eshte perdorur ende tek ne per te semuret me diabet Kjo per shkak se aparatet e dializes e aksesoret e saj jane shume te pakta ne krahasim me numurin e te semureve veçanerisht atyre jo diabetike qe presin e kane nevoje jetesore per te . Ndersa transplantimi i veshkes ende nuk eshte kryer ne vendin tone . Te dyja keto realitete e bejne me te mprehte tek ne domosdoshmerine e parandalimit te Nefropatise me ane te mjekimit korrekt e ne kohe te diabetit dhe mbajtjes ne shifra rigorozisht normale me ane te mjekimit te shifrave te tensionit te gjakut .

Veshkat te një i semure me diabet mund të dëmtohet paralelisht dhe nga infeksionet e rrugëve urinare që janë veçanërisht të shpeshta në ata që kanë glukozë në urinë. Këto infeksione mund të zhvillohen te diabetikët me shenja të dukshme por jo rrallë edhe në mënyrë “memece”, pa djegie gjatë urinimit, pa temperaturë dhe si të tilla, mund të neglizhohen me lehtësi si nga mjeku, ashtu edhe nga vetë i sëmuri. Prandaj është e domosdoshme të kontrollohet periodikisht një herë në 2-3 muaj analiza e urinës, si për albuminë e elemente të tjerë, ashtu dhe mbjelljen e saj (analiza e urokulturës) për të zbuluar infeksionet e mundshme te fshehura. Është një masë e thjeshtë dhe e lehtë kjo që kërkon vetëm kujdes nga i semurti , familjaret edhe mjeku .

Një vend të veçantë në këto dëmtime zënë dhe ndërlikimet që krijohen nga gurët dhe rëra që prodhohen më shumë e me lehtë nga veshkat e diabetikëve, si pasojë e rritjes së acidit urik në gjak. Asnjë dhimbje, qoftë edhe kalimtare, e mesit, dhimbje në fundin e barkut, djegie gjatë urinimit, nuk duhet të kalojë pa u vizituar dhe analizuar. Mbrojtja e veshkave është mundeshme dhe relativisht e thjeshtë kur i sëmuri është i vëmendshëm dhe i kujdesshëm.

Nderlikimet nervore

Në dëmtimet e rrjetit kapilar me rëndësi të veçantë janë dhe NEUROPATITË e diabetit që përfaqësojnë dëmtim e vuajtje të nervave nga kjo sëmundje.Sistemi nervor eshte si nje rrjet kabllosh elektrike i shperndare ne gjithe trupin qe percjell impulset brenda qelizave dhe organeve te organizmit .ne saje te qelizave te posaçme nervore me te cilat perbehet . Keto kabllo dhe fijet e degezimet vogla sidoqofte ushqehen gjate gjithe trajektores se tyre me ane te nje rrjeti kapilaresh te imte arterial .

Nderlikimet ne sistemin nervor te semureve me diabet shkaktohet nga dëmtimi i kapilarëve ushqyes te nervave , por paralelisht dhe sidomos nga grumbullimi i tepërt i sheqernave dhe “fryrja “e demtimi qe krijohet prej kesaj brenda vete qelizave nervore. Neuropatite diabetike janë kryesisht pasojë e drejtpërdrejtë e hiperglicemisë që është mjekuar keq apo që është lënë pa mjekuar për një kohë të gjatë. Prekja e sistemit nervor mund të jetë shumë më e gjerë, njehershi në nervat periferike ashtu dhe në nervat e organeve të brendshme. E para shfaqet ne forme dhimbje, mpirje, çpime e djegie në formë neuriti. Ulet ndjeshmëria ndaj të ftohtit, të nxehtit e dëmtohen reflekset. Një nga shenjat karakteristike është djegia e shputave të këmbës (sikur u ke rënë me hithra), sidomos në orët e natës. Shumë të sëmurë drejtohen te neurologu e mjekohen gabimisht për neurit të thjeshtë, ishiatik apo neurite të tjera që shkaktojnë dhimbje të tjera të forta, në vend që të kujtohen për sëmundjen kryesore, diabetin, që mbetet gjate i pa diagnostikuar ose qe kanë lënë pa mjekuar dhe kontrolluar.

Ne faza me te avancuara nervat demtohen aq shume sa behen te pandijshem , nuk percjellin dot as dhimbjen as te nxehtin , te ftohtin apo prekjen .Kjo krijon nje nderlikim me rrezik te jashtezakonshem per demtimin dhe çfaqjen e gangrenes ne kembe, qe njihet me emrin KEMBA DIABETIKE. Duke humbur ndjeshmerine, te semuret mund te digjen nga borseta apo shishet me uje te nxehte, mund t’u infektohen e t’u mahisen plage ne kembe nga ecjet zbathur ose kepucet e paparshtateshme dhe ata te mos ndjejne asgje, kur çpohen, infektohen deri sa ju shfaqet gangrena. Humbja e ndjeshmerise ne ekstremitete dhe sidomos ne shputen e kembes, deformimet e kembeve ose gishatve, dhe kepucet e shternguara, me maje ose me gozhde brenda, te cilat per shkak te humbjes se ndjeshmerise nuk konstatohen ne kohe nga i semuri (me qe nuk dhembin) perbejne shkaqet me te shpeshta te shfaqes se plageve, ulçerave te infektuara dhe gangrenave te avancuara tek diabetiket.

Pikerisht keto harresa apo “ lajthitje te vogla “ ose prerje e pakujdeseshme e thonjve te kembes behen shkaku me i shpesht i amputimeve e invalidizimit dramatik te semureve me diabet (prerjes se kembes e gishtave prej plageve dhe gangrenes) dhe jo rralle rrezikimit te jetes.

Ato mund te verehen me kohe ne faze mjaft te hershme ne se te semuret bejne zakon te shohin me imtesi çdo mbremje kembet dhe sidomos shputat e kembes ( me ane te pasqyres ose me ndihmen e nje familjari ) per ndonje plage, prerje, çpim, gervishtje, kallo, ferkim lekure, infektim apo ulçer te mundeshme

Dëmtimi i nervave ndodh jo vetem tek ato te ekstremiteteve por edhe nervave të organeve te brendshme. Ato mund t’u shkaktojnë te semureve me diabet, uljen e papritur të tensionit arterial, me ndjenjë të fikti në çastin kur ngrihen nga shtrati në këmbë. Tek burrat çrregullohet rëndë funksioni seksual, me ulje te deshires seksuale deri IMPOTENCE dhe STERILIZIM (pamundesi per te bere femije). Mund të shfaqen çrregullime të urinimit (mbajtja e tepruar urinës në fshikëz, mos zbrazja ne kohe e saje), çregullime te stomakut me anoreksi dhe vjellje e sidomos diare (heqje barku), daljet e shpeshta jashtë, të cilat përsëriten shumë herë gjatë ditës, por karakteristike është që ato theksohen e bëhen më tepër shqetësuese e gati torturuese gjatë orëve të natës.

Impotenca seksuale shfaqet relativisht shpesh. Ajo diagnostikohet dhe mjekohet me vonese sepse te semuret e mbajne zakonisht gjate kohes te fshehte dhe rralle e lidhin ate me neuropatine dhe mjekimin e paregullt prej tyre te diabetit.

Nje sere ilaçesh dhe mjetesh ekzistojne per ta mjekuar ate por edhe ajo si te gjitha ndërlikimet nervore duhet kuptuar qe eshte pasojë e diabetit të pamjekuar, te paekuilibruar, me hiperglicemi të larte e te pa stabilizuar për shumë muaj apo vjet me radhë. Jo vetëm parandalimi, por edhe mjekimi i tyre nuk arrihet me asnjë lloj ilaçi tjetër, pa arritur më parë ekuilibrin e përsosur të diabetit, pa e ruajtur këtë ekuilibër në mënyrë të qëndrueshme për një kohë relativisht të gjatë.

Ilaçet kundër dhimbjeve, vitaminat, ilaçet për uljen e tensionit, ato për nxitjen e fuqizimin e funksionit seksual, ato kundër diaresë etj. nuk japin asnjë efekt konkret, sherues në qoftë se nuk arrihet më parë normalizimi i glicemisë gjatë orëve të ditës e të natës për shumë muaj e vite me radhë.

Ndërlikimet arteriale te zemres dhe trurit

Ndryshe nga dëmtimet e mësipërme në kapilarë, që janë tipike e karakteristike vetëm për diabetin, ndërlikimet në arteriet me kalibër më të madh krijohen edhe nga një sërë faktorësh të tjerë. Arterioskleroza është një proces që krijohet nga ndikimi i përbashkët dhe nga mpleksja e një sërë faktorësh favorizues, si dhjamosja e tepërt, tensioni i lartë i gjakut, yndyrnat e tepërta në gjak, nikotina e duhanit, emocionet e ankthi i vazhdueshëm, puna ndënjur, jeta pa lëvizje fizike, trashëgimia etj.

Ndër këta faktorë një vend të veçantë zë edhe diabeti, i cili, qoftë direkt, qoftë dhe tërthorazi (duke rënduar e fuqizuar disa nga faktorët e mësipërm), është një ndër bashkautorët kryesorë për krijimin dhe formimin e pllakave arteriosklerotike. Këto pllaka formohen e zmadhohen brenda murit të arterieve dhe një ditë bëhen shkak për pengimin e qarkullimit të gjakut në to apo bllokimin (shtuposjen) e plotë të tubit arterial.

Arterioskleroza shkakton aksidente e vdekje kaq të shumta, sa sot për sot quhet “murtaja e shekullit” tonë. Ajo është e para në listë si shkaktare e vdekjeve, sidomos të atyre të papritura. Arterioskleroza zhvillohet edhe në njerëz që nuk janë me diabet, por është fakt klinik dhe statistikor që diabetikët preken prej saj shumë më shpesh, në moshë më të re e në formë më të rëndë se sa personat që nuk kanë diabet. Pra, diabeti favorizon e rëndon zhvillimin e arteriosklerozës dhe kjo nga ana e saj krijon dëme dhe aksidente shumë të rënda.

Jo çdo diabet i krijon këto ndërlikime por vetëm diabeti i neglizhuar, i pamjekuar ose i mjekuar keq.

Diabeti dhe arterioskleroza janë dy sëmundje njësoj tinzake dhe të rrezikshme, sepse për një kohë të gjatë të dyja rrinë të fshehura e të heshtura. Në diabet rritet sheqeri në gjak, ai dëmton për vite me radhë kapilarët e gjakut, por as ndihet e as dhemb.

Në arteriosklerozën rriten yndyrnat (Kolesteroli, trigliceridet ) në gjak. Ato ndërtojnë gjatë shumë viteve, brenda arterieve, pllakat e gjera e të trasha, por gjithçka bëhet ngadalë e pa zhurmë. Ndërkohë i sëmuri është i kënaqur me gjendjen e tij “si molla e kuqe”. T’i thuash një personi të tillë: ..Je i sëmurë, duhet të mjekohesh!., ai zakonisht nuk të beson (”Ore, me këta doktorët duhet patur kujdes, se për nder të çmendin!”).Megjithatë, një i sëmurë i tillë është në rrezik serioz. Një ditë (si papritur), ai gjendet i shtruar urgjent në sallën e reanimacionit: infarkt i miokardit, hemorragji apo trombozë cerebrale.

Tre janë aksidentet më të shpeshta e më të rënda arteriosklerotike që ndodhin te diabetikët e mjekuar keq:

1.Infarkti i miokardit (nga bllokimi i arterieve që furnizojnë me gjak muskulin e zemrës).
2.Tromboza apo hemorragjia cerebrale (nga bllokimi apo çarja e arterieve që furnizojnë trurin)
3.Gangrenat në këmbë (nga bllokimi i arterieve që furnizojnë gjymtyrët e poshtme).

Në qoftë se pyesim diabetikun që pëson infarkt të miokardit do të zbulojmë se aksidenti s’ka ardhur aspak papritur, por përkundrazi, ka dhënë gjatë një kohe relativisht të gjatë një sërë sinjalesh që i sëmuri s’ka ditur t’i deshifrojë, ose s’i ka vënë fare në hesap.

Një ngo këto është dhimbja e fortë shtërnguese që shfaqet në gjoks për fare pak minuta dhe që kalon vetvetiu. Atë çast të sëmurit sikur i bllokohet frymëmarrja. Mund të ketë pak djersë, mpirje të krahut të majtë. Por gjithçka kalon shpejt, vetvetiu, pa asnjë mjekim Ajo përsëritet prapë, një herë, dy herë, mbase shumë herë, por zakonisht ndodh kur ngjit shkallët, kur vrapon, kur ecën kundër erës. I sëmuri qëndron, shplodhet pak dhe ajo kalon. Ajo shfaqet kur flet gjatë, pas emocioneve. Më pas dhe në qetësi, në gjumë, pas të ngrënit. Dhe sëmundja përparon. Në të gjitha këto raste ajo ka dhënë shenja e sinjale, por i sëmuri nuk i ka përfillur e nuk i ka kuptuar ato. Ai vazhdon t’i justifikojë, t’i shpjegojë ashtu siç do vetë, ndërsa për mjekun këto shenja përbëjnë tashmë një diagnozë. Ajo quhet stenokardi. Sinjalet e mësipërme dëshmojnë se muskulit të zemrës nuk i shkon gjak sa duhet, sepse tubi i arterieve është ngushtuar nga brenda prej pllakave arteriosklerotike. Sëmundja e arteriosklerozës, pra, është zhvilluar. Jemi me vonesë. Procesi ka ecur më përpara se ç’duhet, por megjithatë është akoma larg së keqes. E kjo është në dorën e të sëmurëve që ta ndalojnë në këtë fazë zhvillimin e sëmundjes dhe fundi të jetë i gëzueshëm.

A mund të zbulohet arterioskleroza e arterieve koronare (kështu quhen arteriet e zemrës), në fazë më të hershme psh. që në “aktin e parë”? Sigurisht, mundësitë janë që të gjitha. Elektrokardiograma është një nga mënyrat më të thjeshta. Por e bërë vetëm një herë dhe sidomos në qetësi, kur i sëmuri nuk ka kriza zemre, ajo mund të dalë normale e të na verë “të flemë mbi dafina”. Zbulimi i hershëm i arteriosklerozës koronare varet nga këmbëngulja e mjekut, nga zelli dhe “meraku” i të sëmurit.

Çdo diabetik, pavarësisht nga forma e diabetit apo mjekimi që përdor, sidomos kur kalon moshën 40 vjeç, e ka të domosdoshme të bëjë përpara se të jenë shfaqur shenjat e stenokardisë një kontroll me anën e një prove më të saktë: rregjistrimin e elektrokardiogramës pas një ushtrimi fizik (në vendin tonë për këtë qëllim bëhet prova ushtrimore me biçikletë).

Me anën e saj mund të zbulohen çrregullimet e hershme të qarkullimit në arteriet e zemrës dhe të merren që në këtë kohë masa energjike për të ndaluar ecurinë e mëtejshme të procesit.

Të njëjtat gjëra dalin po të pyesim dhe të hetojmë diabetikët që bëjnë aksidente në arteriet cerebrale (trombozë apo hemorragji të tyre). Këto aksidente jashtëzakonisht të rënda vënë në rrezik jetën e të sëmurit dhe, në rastet që kalojnë mirë, lënë prapëseprapë pasoja (paraliza) apo një sërë defektesh të tjera.

Procesi zhvillohet njësoj si në arteriet e zemrës, me po atë ngadalësi e fshehtësi. Megjithatë, as këtu aksidenti nuk ndodh papritur, përkundrazi, ai jep për shumë kohë shenja, sinjale të herëpashershme. Një vizitë e thjeshtë te okulisti që para aksidentit mund të zbulojë në fundin e syrit shenja të sklerozës së arterieve retinale. Një prekje apo dëgjim i thjeshtë nga ana e mjekut të arterieve të qafës mund të zbulojë në to zhurma apo shenja të dëmtimit nga arterioskleroza. Por më të rëndësishme se këto e më të hershme akoma janë shenjat që ndjen vetë i sëmuri.

Këto shenja ai duhet t’i vëzhgojë e t’i vlerësojë me plot seriozitet. Shenja të tilla janë: mpirje e lehtë në gjymtyrët e një ane, mpirje e buzës apo e gjuhës, marrje mendsh vetëm për pak çaste, ndjenjë boshllëku (humbjeje), vështirësi në të folur vetëm për pak çaste, zhurmë në veshe të shoqëruar apo jo me përzierje të lehtë, humbje për një çast të shikimit, miza të ndritshme para syve, dhimbje koke e përqëndruar vetëm në një anë, pasiguri në ecje (sikur shkel në boshllëk, por për pak çaste) e të tjera.Këto shenja as nuk duhen mbivlerësuar duke krijuar alarm të kote, as nuk duhen nënvleftësuar, sidomos kur shfaqen në persona diabetikë mbi 40 vjeç, që janë dhe të dhjamosur, me tension të lartë, që pinë duhan apo që kanë faktorë të tjerë favorizues. Secila prej këtyre shenjave zbulon çaste të mosfurnizimit të rregullt me gjak në zona të caktuara të trurit, si pasojë e ndryshimeve arteriosklerotike të arterieve që çojnë gjakun në to. Këto shenja të lehta janë si fllad përpara “furtunës” që do të vijë më pas. Prandaj, marrja e masave energjike në këtë kohë është vendimtare për ta shpëtuar të sëmurin, sepse akoma është shpejt.

Edhe në trombozën e arterieve të gjymtyrëve të poshtme, që shkakton deri gangrenizimin e tyre, ngjarja zhvillohet në të njëjtën mënyrë. Është i njëjti “skenar” apo ata “aktorë” e “protagonistë”. Ndryshon vetëm “skena” dhe vendi i ngjarjes. Këtë herë “drama” zhvillohet në arteriet e këmbëve. Këto arterie, ndryshe nga dy të parat, mund të vrojtohen me lehtë. Pulsacionet e tyre mund t’i ndjejë jo vetëm mjeku, por fare mirë mund të mësojë t’i prekë dhe vetë i sëmuri.

Gangrenat në gishtat e këmbëve të diabetikëve janë ndërlikime të shpeshta, të rënda dhe invalidizuese, që i detyrojnë ata të qëndrojnë për muaj të tëra në spital.

Kur gishti i këmbës, apo vendi i gangrenës nxihet dhe enjtet, të sëmurët vrapojnë te mjeku. Ka të tjerë që para apo pas kësaj s’lënë ilaçe apo melheme “popullore” pa provuar.

Kurse ilaçi “çudibërës” është vetëm kujdesi për të mos arritur deri këtu, kujdesi për ta parandaluar gangrenizimin përpara se të formohet. A nuk është për t’u habitur që kjo nuk bëhet si duhet kur masat mbrojtëse janë aq të thjeshta dhe nuk kushtojnë asgjë?

Mbyllja e arterieve dhe gangrena që shkaktojnë nuk krijohen sa hap e mbyll sytë, por për një kohë të gjatë, duke dhënë që më parë shenja dhe paralajmërime.

Një nga këto shenja është dhimbja që shfaqet papritur në pulpet e këmbëve gjatë ecjeve, gjë që e detyron të sëmurin të qëndrojë dhe më pas të çalojë. Ky sinjal i përkohshëm zhduket vetvetiu e pa mjekim, por ai përbën një nga shenjat .paralajmëruese me shumë domethënie për atë që mund të ndodhë më pas. Kjo shenjë dëshmon se qarkullimi në arteriet e këmbëve është penguar e nuk bëhet siç duhet. Këmbët e ftohta që nuk ngrohen as me çorape leshi e që e detyrojnë të sëmurin të verë borsa apo shishe me ujë të nxehtë janë një tjetër shenjë e mosqarkullimit të mirë të gjakut në këmbë. Shumë herë paralelisht më të është i dëmtuar dhe rrjeti nervor e i sëmuri nuk e ndien nxehtësinë e gabimisht mund të digjet, pa i dhimbur, nga borsa apo shishet e nxehta që vë në këmbë. Djegia mund të krijojë plagë që jo vetëm s’mbyllen, por enjten dhe përparojnë duke shpejtuar gangrenën. Plagët në këmbët e një diabetiku të tillë dhe te të gjithë diabetikët në përgjithësi janë shumë të rrezikshme. Ato mund të shkaktohen nga këpucët e ngushta, kallot, nga gërvishtjet e çpimet kur ecin zbathur, këpucët me majë, nga prerja pa kujdes e thonjve etj.

Dobësimi e më pas zhdukja e pulsacioneve në arteriet e këmbëve është një shenjë objektive që paraprin këto ndryshime. Veçanërisht në diabetikë të tillë kujdesi për këmbët duhet të jetë me të vërtetë i jashtëzakonshëm.

Në qoftë se duhani, p.sh., është i dëmshëm për njerëzit në përgjithësi e për gjithë diabetikët në veçanti, ai bëhet në mënyrë të jashtëzakonshme i rrezikshëm e i dëmshëm për ata që vuajnë nga arteriopatitë, si ato koronare, cerebrale, të këmbëve e kudo qofshin.

Kujdesi për këmbët, mjekimi korrekt i diabetit, lënia e duhanit dhe ecja e përditshme me karakter ushtrimor janë të vetmet rnënyra efikase për t’u mbrojtur nga gangrena dhe dëmtimet e tjera të qarkullimit.

Ndërlikimet infeksioze të diabetit Sëmundja e diabetit, kur nuk mjekohet siç duhet, krijon kushte të favorshme për zhvillimin e infeksioneve të ndryshme. Në të sëmurët me diabet këto infeksione janë jo vetëm më të shpeshta sesa te njerëzit e tjerë, por ato vazhdojnë për një kohë të gjatë dhe janë më rezistente ndaj mjekimit. Arsyeja është se sëmundja e diabetit, duke çrregulluar metabolizmin, dobëson gjithë organizmin, ul forcën dhe rezistencën e tij.Ka të sëmurë që vuajnë nga infeksione të ndryshme gjatë shumë vjetëve me radhë, pa e ditur fare që janë me diabet, pa u shkuar në mendje që ato janë pasoja të tij.

Diabeti mund të fshihet pas infeksioneve të përsëritura të tilla si çibane, lunga, infeksione të tjera qelbëzuese të lëkurës, infeksione urinare (me ose pa djegie gjatë urinimit), turbekuloz, infeksione në organet gjenitale, mykoza (që shfaqet me të kruara të “vetes”), infeksione të mishrave të dhëmbëve, të bajameve, sinuzite e sëmundje të gojës në përgjithësi, infeksione të mushkërive, bronkeve, rrugëve të tëmthit, të thonjve të këmbëve etj.

“Riardhja”, shpeshtimi ne vitet e fundit i Tuberkulozit eshte nje kercenim i ri per diabetiket qe mud te preken me lehte e me rende prej tij .

Diabetikët janë më “delikatë”, ftohen më lehtë, u ngjitet shpejt rrufa, infeksionet e ndryshme virusale dhe gjithë sëmundjet infektive në përgjithësi.Ata natyrisht nuk perjashtohen te preken edhe nga Hepatiti , SIDA e semundjet e tjera te transmetuara seksualisht Pikërisht për këto arsye vetmbrojtja, vaksinimet jo vetëm që nuk duhet të ndalohen, por përkundrazi duhen bërë më me rregull sesa te njerëzit e tjerë.

Te çdo person që vuan nga një infeksion i gjatë apo që i përsëritet shpesh e që nuk shërohet me mjekimet e rregullta të zakonshme duhen bërë patjetër edhe analizat për diabet (glicemia esëll, glicemia dy orë pas buke dhe analiza e urinës për glukozë). Në këtë mënyrë është arritur të zbulohet diabeti te një numër jo i vogël të sëmurësh që nuk e dinin se vuanin nga kjo sëmundje.

Nga ana tjetër, të sëmurët që e dinë se vuajnë nga diabeti, duhet të kenë kujdes të veçantë që të mbrohen nga infeksionet, sepse këto çrregullojnë rëndë diabetin. Mbrojtja arrihet thjesht me anë të tre masave paraprake:

Së pari: respektimi i rregullave të higjienës së trupit (higjiena e lëkurës së duarve, dhëmbëve, thonjve, e këmbëve, e organeve gjenitale), ruajtja nga lagështia, të ftohtit, korentet e erës etj.

Së dyti: vaksinimi i rregullt kundër të gjitha sëmundjeve infektive duke përfshirë edhe gripin.

Së treti: mjekimi i rregullt e i përpiktë i diabetit, ruajtja e ekuilibrit të vazhdueshëm të tij.

Nëse i sëmuri i lë pas dore këto masa ose i bën shkel e shko, më shumë mundësi ka që ai të bëhet pre e infeksioneve të ndryshme. Por ne thamë që çdo vatër infeksioni, sado e vogël, qoftë dhe në rrënjën e një dhëmbi, apo një puçërr e vogël, çrregullon në mënyrë të dukshme e të sigurt ekuilibrin e diabetit, shkakton rritjen e glicemisë dhe nevojave për insulinë. Një diabetik që ka qoftë dhe një infeksion të fshehtë e pa shenja të dukshme (pa temperature apo dhimbje), asnjëherë s’mund të jetë i ekuilibruar. Analizat e diabetit do të fillojnë tek ai të çrregullohen gjithnjë e më shumë dhe mund të arrijë në disa raste deri në acidozë apo koma diabetike. Në fakt, një nga shkaqet më të shpeshta që i çojnë diabetikët në këto gjendje të rënda janë pikërisht infeksionet, të cilat janë nënvleftësuar apo nuk janë mjekuar me seriozitetin e duhur.

Diabeti i çrregulluar, i pamjekuar mirë, favorizon infeksionet, kurse këto nga ana e tyre e çrregullojnë dhe rëndojnë akoma më shumë diabetin. Që të ndërpritet ky qark dëmtues lufta duhet bërë njëkohësisht në dy drejtimet, si për mjekimin sa më të mirë të diabetit, ashtu dhe për masat kundër mikrobeve e infeksioneve të ndryshme.

Lufta më e mirë ndaj infeksioneve është parandalimi i tyre, por në qoftë se për një arsye apo një tjetër, ato arrijnë të shfaqen, në asnjë mënyrë nuk duhen marrë lehtë-lehtë e nuk duhen nënvleftësuar, duke besuar se do të kalojnë vetvetiu. Në të sëmurët me diabet, infeksionet, sado të vogla qofshin, duhen mjekuar seriozisht dhe në mënyrë energjike. Nuk duhet ngurruar asnjë çast, sipas rastit, të fillohet mjekimi me antibiotikë, qoftë dhe për infeksione në dukje të vogla e të parëndësishme. Nga ana tjetër, nuk duhet shpresuar që infeksionin do ta mposhtë vetëm mjekimi me antibiotikë apo ilaçe të tjera antiinflamatore. Që të mposhtet një infeksion në të sëmurët me diabet, përveç antibiotikëve apo ilaçeve të tjera antiinflamatore duhet bërë patjetër dhe mjekimi shembullor i diabetit, duhet të arrihet e të mbahet në mënyrë të qëndrueshme një ekuilibër i përsosur i tij. Në qoftë se kjo nuk bëhet, infeksioni do të ngrejë kokë e do të ringjallet përsëri.

Si rregull, ata diabetikë që mjekohen me insulinë, në përshtatje me analizat duhet të rrisin dozën e saj, kurse ata që mjekohen me kokrra ose me dietë, gjatë infeksioneve, sidomos në ato që shoqërohen me temperaturë, sipas rastit përkohësisht mund te duhet të fillojnë mjekimin me insulinë. Mos kini frikë se mësoheni me të. Pas kalimit të infeksionit dhe ekuilibrimit të diabetit, do të kalohet përsëri në mjekimin e mëparshëm.

Kuptohet që manovrime të tilla në mjekim, me anë të të cilave sigurohet një ekuilibër i vazhdueshëm i diabetit, nuk mund të arrihen te një i sëmurë që nuk ka njohuri ose që i mungon zelli dhe vullneti për të bashkëpunuar me mjekun. Mbrojtja jo vetëm nga infeksionet, por dhe nga gjithë ndërlikimet e tjera të diabetit, nuk mund të arrihet në qoftë se ju nuk mësoni si të mjekoni e të mbroni veten tuaj.

(Marre nga libri “Diabeti”)

(http://www.mjeksia.net/diabeti-nderlikimet-e-tij/)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: