Sëmundja diabetike e syrit

Diabeti shkakton komplikime në organe të ndryshme të organizimit, ndër to edhe në sy. Sëmundja diabetike e syrit i referohet një grupi të ndryshimeve në sy, të cilat paraqiten te personat me sëmundje të sheqerit dhe që shënohen si komplikime të diabetit. Këto ndryshime mund të shkaktojnë humbje të rëndë të të pamurit ose verbim të plotë. Dëmtimet diabetike në sy njihen si retinopati diabetike. Vlerësohet se rreth 60% e personave me diabet kanë ndonjë manifestim të retinopatisë diabetike dhe që retinopatia diabetike (RD) është shkaktari kryesor i verbimit te pacientët e moshës 20 gjer 74-vjeçare. Gjasat për të zhvilluar këtë komplikim varen nga kohëzgjatja e diabetit, kualiteti i kontrollit të glikemisë, presioni i gjakut, niveli i lipideve të serumit, niveli i marrjes së kalorive, niveli i aktivitetit fizik, etj. Grupmosha, e cila më së shumti është duke u rrezikuar nga diabeti është 30-39 vjeç.

Shfaqja
Lidhur me manifestimet klinike të retinopatisë diabetike, mjekët shjegojnë se është me rëndësi të ceket se pacienti nuk do të vërejë ndryshime në pamje derisa diabeti të mos dëmtojë regjionin e makulës, ndërsa gjerësisht gjegjësisht derisa të mos paraqitet ndonjë gjakderdhje më domethënëse në trupin qelqor apo në retinë. Prandaj, pacienti mund të ketë retinopati të shkallës së rëndë, ndërsa në anën tjetër ende të ketë pamjen e mirë. Për këtë arsye, ekzaminimet e rregullta të fundit të syrit janë të domosdoshme. Ndryshimet të cilat mund të paraqiten në retinë janë: mikroaneurizmat (zgjatjet në formë qeske të murit të kapilarëve), gjakderdhjet sipërfaqësore apo të thella, eksudatet e forta dhe të buta, neovaskularizimet, proliferimet fibrovaskulare, etj. Varësisht nga paraqitja e tyre retinopatia diabetike ndahet në joproliferative dhe proliferative (natyrisht në kuadër të tyre pastaj ekzistojnë nënklasifikime).

Trajtimi
Mjekimi i retinopatisë diabetike bëhet në 3 mënyra: me laserfotokoagulim (LFK), injektime intravitreale të substancave të ndryshme dhe operacione të retinës dhe trupit qelqor (pars plana vitrektomi-PPV). LFK shfrytëzon nxehtësinë nga burimi laserik për të kauterizuar enët e dobësuara të gjakut të cilat mund të gjakderdhin dhe po ashtu ka një rol shumë të rëndësishëm në parandalimin e zhvillimit të neovaskularizimit dhe të shkolitjes së retinës. LFK-ja është një procedurë e shpejtë, pa dhimbje, kryhet për 10-15 minuta dhe mund të përsëritet shumë herë. Përafërsisht te 70% të sëmurëve që e bëjnë laserimin vjen gjer te stabilizimi i pamjes, ndërsa në 15% të rasteve pamja edhe mund të përmirësohet. Ekzistojnë dy mënyra të kryerjes së LFK-së. Njëra është LFK fokale, ndërsa tjetra është pan LFK. Natyrisht, rekomandohet që para LFK-së, sidomos asaj fokale, të kryhet ekzaminimi i fluorescein angiografisë – FAG. Gjatë FAG jepet një substancë kontrasti në venë dhe pastaj me anë të një kamere speciale bëhet fotografimi i retinës dhe vizualizimi i enëve retinale të gjakut. Në ato zona ku kemi dëmtim të enëve të gjakut dhe rrjedhje të kontrastit pastaj kryhet LFK fokale. Përveç LFK-së, mjekimi i retinopatisë diabetike bëhet edhe me injektimin e substancave të ndryshme në trupin qelqor. Ekzistojnë disa lloje të substancave të cilat mund të injektohen si kortikosteroidet, substancat anti-VEGF etj. Në vitet e fundit trajtimi i retinopatisë diabetike ka përjetuar një revolucion të vërtetë me paraqitjen e substancave anti-VEGF (si avastin, lucentis, etj.) të cilat janë treguar shumë efikase në largimin e neovaskularizimeve. Mënyra tjetër e trajtimit të komplikimeve diabetike është edhe trajtimi kirurgjik, gjerësisht PPV. Në rastet me gjakderdhje në vitreus, zhvillim të membranave proliferative apo ablacione traktive të retinës, atëherë duhet të intervenohet në mënyrë kirurgjike. Mirëpo, trajtimi është shumë më i suksesshëm nëse pacienti paraprakisht ka bërë trajtime me LFK dhe injektime intravitreale. Në të kundërtën rezultatet e intervenimit shumë shpesh janë të kufizuara. Në mënyrë që pacienti të informohet dhe të udhëzohet për trajtim sa më efikas dhe me kohë, në mënyrë që të parandalohen komplikimet e mundshme të diabetit, duhet një bashkëpunim i mirëfilltë në mes të mjekut familjar, endokrinologut dhe oftalmologut.

Ndërlikimit e diabetit në shikim shfaqen në retinë
Ndërlikimet në sy të diabetit, së pari shfaqen e vërehen në kapilarët brenda syrit, pikërisht në atë shtresë të tij që quhet retinë. Kjo është një cipë shumë e hollë në fund të syrit që luan rolin vendimtar për shikimin e fotografimin e objekteve. Kapilarët e retinës, nën ndikimin e hiperglicemisë kronike shumëvjeçare, deformohen, mbyllen, çahen, lëshojnë brenda në sy lëngje dhe hemorragji, të cilat cenojnë retinën e dëmtojnë pamjen, deri në verbim të plotë. Ky ndërlikim quhet retinopatia diabetike dhe është ndër ndërlikimet më të hershme e më të shpeshta të tij. Fatmirësisht ai nuk zhvillohet për një ditë dhe as për një vit. Duhen vite të tëra që retina të arrijë të prishet e të humbasë pamjen. Zbulimi i dëmtimeve fillestare që quhen mikroaneurizma arrihet me një kontroll fare të thjeshtë të fundit të syrit nga mjeku okulist. I vetmi ilaç për të mjekuar retinopatinë sidomos në fazat e fillimit, është mjekimi korrekt e shembullor i diabetit, normalizimi me fanatizëm i glikemisë. Po nuk u bë kjo, sytë janë në “dorë të fatit”. Përveç mjekimit të mirë të diabetit, ata duhet të kenë kujdes të mos përdorin asnjë ilaç të rekomanduar për arsye të tjera pa u konsultuar me mjekun diabetolog. Të sëmurët që kanë shenja hemorragjie në retinë duhet, përveç diabetit, të kontrollojnë vazhdimisht tensionin arterial, ta mbajnë atë gjithmonë në shifra normale e po qe i lartë të përdorin patjetër mjekim të vazhdueshëm për ta ulur e normalizuar. Ata duhet të kenë kujdes të mos përdorin pa pyetur mjekun ilaçe të tilla si aspirina e të tjera, që shtojnë hemorragjinë e po kështu të kenë kujdes të mënjanojnë shtrëngimet gjatë jashtëqitjes, kollitjen e fortë, teshtimat që mund të rëndojnë hemorragjinë. Nga ana tjetër, mjeti mjaft efektiv për t’i mbrojtur e mjekuar të sëmurët me retinopati diabetike relativisht të avancuar prej verbimit është aparati i posaçëm me rreze laseri. Duhet patur parasysh që përveç dëmtimeve të kapilarëve retinalë diabeti mund të krijojë në sy dhe ndërlikime të tjera, si infeksione, rritje të presionit brenda syrit (glaukoma) dhe sidomos zhvillimin që në moshë të re të perdes (kataraktit). Veç këtyre, tek te sëmurët me diabet mund të ndodhin turbullime dhe deri humbje të papritura të pamjes. Por ato janë kalimtare, jo nga retinopatia dhe të lidhura me luhatjet e mëdha e të befta ditore të nivelit të glicemisë. Edhe këto ndërlikime janë pasojë e mosmjekimit dhe e ekuilibrit të keq të diabetit, pasojë e hiperglicemisë së pamjekuar ose të lënë pas dore.

Lidhja e diabetit në shtatzëni me mbipeshën e fëmijëve
Fëmijët, nënat e të cilëve gjatë shtatzënisë kanë zhvilluar diabet (i ashtuquajtur diabeti gestacional), kanë rrezik më të madh që të kenë mbipeshë nga mosha 11-vjeçare. Kështu pohojnë shkencëtarët gjermanë nga Universiteti i Munihut. “Studimi i tyre ka treguar se mbipesha te nëna është e lidhur në mënyrë direkte më prirjen e fëmijëve për t’u trashur”, – shkruan revista “Diabetes Care”. Diabeti gestacional paraqitet te 8% e shtatzënave, ndërsa mbipesha është faktor i rëndësishëm rreziku për këtë sëmundje të sheqerit që paraqitet në shtatzëni. Fëmijët e shtatzënave me diabet gestacional kanë peshë më të madhe të lindjes në krahasim me foshnjat tjera.

 

http://www.gazeta-albania.net/

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: