Diabeti, tre rreziqet që të kanosen kur nuk ndjek dietat

Simptomat që i paralajmërojnë këto rreziqe dhe kurat për trajtimin e kësaj sëmundjeje

Diabeti i pamjekuar ose i mjekuar keq krijon në mënyrë të sigurt ndërlikime. Ato janë të shumëllojshme. Sipas kohës së shfaqjes mund të ndahen në ndërlikime të mprehta (akute, urgjente, të shpejta) dhe në ndërlikime të largëta, apo të ngadalshme.

Nëse diabeti nuk mjekohet mirë, ai mund të shfaqë probleme serioze në shëndetin tuaj. Tre janë rreziqet më të shpeshta e më të rënda arteriosklerotike që ndodhin te diabetikët e mjekuar keq: infarkti i miokardit (nga bllokimi i arterieve që furnizojnë me gjak muskulin e zemrës), tromboza apo hemorragjia cerebrale (nga bllokimi apo çarja e arterieve që furnizojnë trurin), gangrenat në këmbë (nga bllokimi i arterieve që furnizojnë gjymtyrët e poshtme). 

Infarkti i miokardit 

Mjekët thonë se në qoftë se pyesim diabetikun që pëson infarkt të miokardit, do të zbulojmë se aksidenti s’ka ardhur aspak papritur, por përkundrazi, ka dhënë gjatë një kohe relativisht të gjatë një sërë sinjalesh që i sëmuri s’ka ditur t’i deshifrojë, ose s’i ka marrë parasysh. Një nga këto sinjale është dhimbja e fortë shtrënguese që shfaqet në gjoks për pak minuta dhe që kalon vetvetiu. Atë çast i sëmuri ndjen sikur i bllokohet frymëmarrja. Mund të ketë pak djersë, mpirje të krahut të majtë. Por gjithçka kalon shpejt, vetvetiu, pa asnjë mjekim. Ajo përsëritet prapë, një herë, dy herë, mbase shumë herë, por zakonisht ndodh kur ngjit shkallët, kur vrapon, kur ecën kundër erës. I sëmuri qëndron, çlodhet pak dhe ajo kalon. Ajo shfaqet kur flet gjatë, pas emocioneve. Më pas dhe në qetësi, në gjumë, pas të ngrënit. Dhe sëmundja përparon. Në të gjitha këto raste ajo ka dhënë shenja e sinjale, por i sëmuri nuk i ka përfillur e nuk i ka kuptuar ato. Ai vazhdon t’i justifikojë, t’i shpjegojë ashtu siç do vetë, ndërsa për mjekun këto shenja përbëjnë tashmë një diagnozë. Ajo quhet stenokardi. Sinjalet e mësipërme dëshmojnë se muskulit të zemrës nuk i shkon gjak sa duhet, sepse tubi i arterieve është ngushtuar nga brenda prej pllakave arteriosklerotike. Sëmundja e arteriosklerozës, pra, është zhvilluar. Jemi me vonesë. Procesi ka ecur më përpara se ç’duhet, por megjithatë është akoma larg së keqes. E kjo është në dorën e të sëmurëve që ta ndalojnë në këtë fazë zhvillimin e sëmundjes dhe fundi të jetë i gëzueshëm.

Arterioskleroza e arterieve

Arterioskleroza e arterieve koronare (kështu quhen arteriet e zemrës), mund të zbulohet që në fazë më të hershme. Elektrokardiogrami është një nga mënyrat më të thjeshta që mund të përdoret. Por e bërë vetëm një herë dhe sidomos në qetësi, kur i sëmuri nuk ka kriza zemre, ajo mund të dalë normale e të na verë “të flemë mbi dafina”. Zbulimi i hershëm i arteriosklerozës koronare varet nga këmbëngulja e mjekut, nga zelli dhe “meraku” i të sëmurit. Çdo diabetik, pavarësisht nga forma e diabetit apo mjekimi që përdor, sidomos kur kalon moshën 40 vjeç, e ka të domosdoshme të bëjë përpara se të jenë shfaqur shenjat e stenokardisë një kontroll me anën e një prove më të saktë: regjistrimin e elektrokardiogramës pas një ushtrimi fizik (në vendin tonë për këtë qëllim bëhet prova ushtrimore me biçikletë). Me anën e saj mund të zbulohen çrregullimet e hershme të qarkullimit në arteriet e zemrës dhe të merren që në këtë kohë masa energjike për të ndaluar ecurinë e mëtejshme të procesit.

Tromboza 

Diabetikët që pësojnë dëmtime në arteriet cerebrale (trombozë apo hemorragji të tyre), janë më të rrezikuar për jetën. Madje, sipas mjekëve, këto dëmtime të rënda vënë në rrezik jetën e të sëmurit, pasi edhe në rastet kur kalojnë mirë, lënë prapëseprapë pasoja (paraliza) apo një sërë defektesh të tjera. Edhe gjatë këtyre dëmtimeve procesi zhvillohet njësoj si në arteriet e zemrës, me po atë ngadalësi e fshehtësi. Megjithatë, as këtu aksidenti nuk ndodh papritur, përkundrazi, ai jep për shumë kohë shenja, sinjale të herëpashershme. Një vizitë e thjeshtë te okulisti që para aksidentit mund të zbulojë në fundin e syrit shenja të sklerozës së arterieve retinale. Një prekje apo dëgjim i thjeshtë nga ana e mjekut të arterieve të qafës mund të zbulojë në to zhurma apo shenja të dëmtimit nga arterioskleroza. Por më të rëndësishme se këto e më të hershme akoma janë shenjat që ndjen vetë i sëmuri. Këto shenja ai duhet t’i vëzhgojë e t’i vlerësojë me plot seriozitet.

Sinjalet paralajmëruese

Shenja të tilla janë: mpirje e lehtë në gjymtyrët e një ane, mpirje e buzës apo e gjuhës, marrje mendsh vetëm për pak çaste, ndjenjë boshllëku (humbjeje), vështirësi në të folur vetëm për pak çaste, zhurmë në vesh e shoqëruar ose jo me përzierje të lehtë, humbje për një çast të shikimit, miza të ndritshme para syve, dhimbje koke e përqendruar vetëm në një anë, pasiguri në ecje (sikur shkel në boshllëk, por për pak çaste) e të tjera. Këto shenja as nuk duhen mbivlerësuar duke krijuar alarm të kote, as nuk duhen nënvleftësuar, sidomos kur shfaqen në persona diabetikë mbi 40 vjeç, që janë dhe të dhjamosur, me tension të lartë, që pinë duhan apo që kanë faktorë të tjerë favorizues. Secila prej këtyre shenjave zbulon çaste të mos furnizimit të rregullt me gjak në zona të caktuara të trurit, si pasojë e ndryshimeve arteriosklerotike të arterieve që çojnë gjakun në to. Këto shenja të lehta janë si fllad përpara “furtunës” që do të vijë më pas. Prandaj, marrja e masave energjike në këtë kohë është vendimtare për ta shpëtuar të sëmurin, sepse ende është shpejt.

Gangrenat në këmbë 

Edhe në trombozën e arterieve të gjymtyrëve të poshtme, që shkakton deri gangrenizimin e tyre, ngjarja zhvillohet në të njëjtën mënyrë. Është i njëjti “skenar” apo ata “aktorë” e “protagonistë”. Ndryshon vetëm “skena” dhe vendi i ngjarjes. Këtë herë “drama” zhvillohet në arteriet e këmbëve. Këto arterie, ndryshe nga dy të parat, mund të vrojtohen me lehtë. Pulsacionet e tyre mund t’i ndjejë jo vetëm mjeku, por fare mirë mund të mësojë t’i prekë dhe vetë i sëmuri. Gangrenat në gishtat e këmbëve të diabetikëve janë ndërlikime të shpeshta, të rënda dhe invalidizuese, që i detyrojnë ata të qëndrojnë për muaj të tëra në spital. Kur gishti i këmbës, apo vendi i gangrenës nxihet dhe enjtet, të sëmurët vrapojnë te mjeku. Për të evituar këto probleme ilaçi “çudibërës” është vetëm kujdesi për të mos arritur deri këtu, kujdesi për ta parandaluar gangrenizimin përpara se të formohet. Mbyllja e arterieve dhe gangrena që ato shkaktojnë nuk krijohen sa hap e mbyll sytë, por për një kohë të gjatë, duke dhënë që më parë shenja dhe paralajmërime.

Shenjat paralajmëruese 

Një nga këto shenja është dhimbja që shfaqet papritur në pulpat e këmbëve gjatë ecjeve, gjë që e detyron të sëmurin të qëndrojë dhe më pas të çalojë. Ky sinjal i përkohshëm zhduket vetvetiu e pa mjekim, por ai përbën një nga shenjat paralajmëruese me shumë domethënie për atë që mund të ndodhë më pas. Kjo shenjë dëshmon se qarkullimi në arteriet e këmbëve është penguar e nuk bëhet siç duhet. Këmbët e ftohta që nuk ngrohen as me çorape leshi e që e detyrojnë të sëmurin të verë borsa apo shishe me ujë të nxehtë janë një tjetër shenjë e mosqarkullimit të mirë të gjakut në këmbë. Shumë herë paralelisht më të është i dëmtuar dhe rrjeti nervor e i sëmuri nuk e ndien nxehtësinë e gabimisht mund të digjet, pa i dhimbur, nga borsa apo shishet e nxehta që vë në këmbë. Djegia mund të krijojë plagë që jo vetëm s’mbyllen, por enjten dhe përparojnë duke shpejtuar gangrenën. Plagët në këmbët e një diabetiku të tillë dhe te të gjithë diabetikët në përgjithësi janë shumë të rrezikshme. Ato mund të shkaktohen nga këpucët e ngushta, kallot, nga gërvishtjet e shpimet kur ecin zbathur, këpucët me majë, nga prerja pa kujdes e thonjve etj. Dobësimi e më pas zhdukja e pulsacioneve në arteriet e këmbëve është një shenjë objektive që paraprin këto ndryshime. Veçanërisht në diabetikë të tillë kujdesi për këmbët duhet të jetë me të vërtetë i jashtëzakonshëm.
Kujdesi për këmbët, mjekimi korrekt i diabetit, lënia e duhanit dhe ecja e përditshme me karakter ushtrimor janë të vetmet mënyra efikase për t’u mbrojtur nga gangrena dhe dëmtimet e tjera të qarkullimit.

Tre janë rreziqet më të shpeshta e më të rënda arteriosklerotike që ndodhin te diabetikët e mjekuar keq:

  • Infarkti i miokardit që shfaqet nga bllokimi i arterieve që furnizojnë me gjak muskulin e zemrës
  • Tromboza apo hemorragjia cerebrale, e cila shfaqet nga bllokimi apo çarja e arterieve që furnizojnë trurin
  • Gangrenat në këmbë, të cilat shfaqen nga bllokimi i arterieve që furnizojnë gjymtyrët e poshtme

Përgatiti: JONIDA TASHI

(http://www.zeriyt.com/mjekesi-e-pergjithshme/diabeti-t36553.0.html)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: