Sheqeri, helmi i ëmbël

Në 26 maj të vitit 2009, mjeku Robert Lustig mbajti një konferencë me titullin “Sheqeri, e vërteta e hidhur”, që në korrik të vitit 2010 u postua në “You Tube”. Që atëherë kjo video është parë më shumë se 800 mijë euro me një mesatare prej 50 mijë spektatorësh të rinj çdo muaj. Lusting është një specialist i endokrinologjisë pediatrike dhe një nga ekspertët më të mëdhenj të obezitetit te fëmijët në “School of medicine” në Universitetin e Kalifornisë në San Françisko, një nga fakultetet më të mira të mjekësisë në SHBA. Lusting është njeriu që në studimet e tij e ka cilësuar sheqerin si “helm” dhe “toksinë”.

Me fjalën sheqer ai nuk nënkupton vetëm substancën e bardhë dhe kokrrizore që i hedhim kafesë – teknikisht i njohur si sakarozi – por edhe shurupin e misrit me një përmbajtje të lartë fruktoze atë që Lustig e konsideron si një nga “vrasësit” më të këqij që ka parë ndonjëherë. Lustig ka të drejtë, konsumi i tepërt i sheqerit është shkaku kryesor i rritjes marramendëse të rasteve të obezitetit dhe diabetit në SHBA dhe Europë në 30 vitet e fundit. Por teza e tij ka të tjera pasoja. Sipas tij, konsumi i sheqerit ka shumë mundësi të jetë edhe shkaku kryesor i shumë patologjive që zakonisht i janë atribuuar stilit të jetesës perëndimore, si kardiopatitë, tensioni i lartë i gjakut dhe lloje të ndryshme tumoresh. Fakti që kaq shumë njerëz e kanë parë videon e konferencës do të thotë se ndoshta fjalët e Lustig kanë nisur të dëgjohen. Kjo, jo vetëm sepse Lustig ka bërë kërkime të detajuara mbi sheqerin, por në ndryshim me shumë studiues të tjerë është gati të theksojë në çdo rast se sheqeri është një substancë toksike me të cilën abuzohet shumë. Sipas tij duhet konsideruar si alkooli dhe duhani: një vrasës i vërtetë. Ne të gjithë e dimë se mjekët dhe dietologët përsëritin se një dietë e shëndetshme kërkon një konsum të madh të frutave dhe perimeve, më pak yndyra, mish të kuq dhe kripë. Gjithsesi, nuk është e këndshme të zbulosh se një element i dietës sonë ushqimore, jo vetëm që është pak i shëndetshëm, por mund të jetë edhe helmues. Megjithatë, Lustig ka mbledhur dhe përpunuar një mal me prova që i gjykon mjaft të vlefshme për ta ‘dënuar” sheqerin njëherë e përgjithmonë.

Sheqeri i rafinuar, d.m.th sakarozi, formohet nga një molekulë glukoze që lidhet me një molekulë fruktoze. Fruktoza që është thuajse dy herë më e ëmbël se glukoza, është ai që e dallon sheqerin nga ushqimet e tjera të pasura me karbohidrate si buka apo patatet, që gjatë tretjes shpërbëhen në glukozë. Shumica e mjekëve mendojnë se sheqernat i japin organizmit kalori boshe (d.m.th pa substanca ushqyese si proteinat apo vitaminat) e që ne tentojmë t’i marrim me shumicë, sepse kanë shije të mirë. E vërtetë apo e rreme qoftë teoria e kalorive boshe, ajo që është e sigurt lidhet me faktin se na lejon që të mendojmë se ia hedhim fajin sheqerit për diabetin, obezitetin, tensionin e lartë të gjakut, ngrënies së çrregullt dhe ushtrimeve të pakta fizike. Gjithsesi, hipotezat e Lustig nuk lidhen me konsumin e kalorive boshe, por me sheqerin dhe karakteristikat e tij specifike, sidomos për mënyrën se si trupi njerëzor metabolizon fruktozën, në gjendje ta bëjë atë të dëmshme, sidomos nëse tejkalohet konsumi.

Përcaktimi i përdorur nga Lusting, do të thotë se mund të marrim 100 kalori glukoze (nga një patate, një panine apo të tjera produkte) apo 100 kalori nga sheqeri (gjysmëfruktozë e gjysmëglukozë), e që këto kalori do të metabolizohen në mënyra të ndryshme dhe do të kenë një efekt të ndryshëm në trupin tonë. Kaloritë janë të njëjta, por pasojat në metabolizëm janë të ndryshme. Fruktoza e pranishme te sheqeri metabolizohet kryesisht nga mëlçia, ndërsa glukoza metabolizohet nga çdo qelizë e trupit. Pra, konsumimi i sheqerit do të thotë më shumë punë për mëlçinë. Shpejtësia me të cilën mëlçia duhet të kryejë funksionin e saj influencon edhe mënyrën me të cilën metabolizohet fruktoza dhe glukoza. Te kafshët, kur fruktoza godet mëlçinë në një sasi të mjaftueshme dhe me një shpejtësi të konsiderueshme, mëlçia e shndërron një pjesë të tij në yndyrë. Në pjesën më të madhe të rasteve, teprica e glikogjenit shndërrohet menjëherë në yndyrë. Disa persona mendojnë në mënyrë të gabuar që, nëse konsumojnë ushqime pa yndyrë ose të varfra në yndyrë mund të mos vënë peshë, por në të vërtetë edhe ushqimet që përmbajnë shumë sheqerna mund të na shëndoshin. Në shumë raste, sasia e tepërt e sheqerit që qarkullon në gjakun tonë shndërrohet në yndyrë. Me sa duket kjo krijon rezistencën ndaj insulinës që sot konsiderohet si problemi kryesor i obezitetit, kardiopative dhe diabetit të tipit 2, që ndeshet shpesh te personat obezë ose në mbipeshë.

Kjo mund të jetë edhe pikënisja për të shpjeguar forma të ndryshme tumori. Herën e fundit që një agjenci qeveritare amerikane ka ekzaminuar me hollësi lidhjen mes sheqerit dhe shëndetit ishte në vitin 2005, në një raport të Institutit të Mjekësisë pjesë e “National Academies”. Autorët pranonin se sheqeri mund të rrisë rrezikun e patologjive kardiake dhe diabetit, duke rritur edhe nivelet e kolesterolit të keq, por nuk i konsideronin si përfundimtare këto studime. Çështja ishte konfuze: nuk ishte as në gjendje të vendosej se çfarë sasie sheqeri mund të konsiderohej e dëmshme. Po ashtu, një tjetër studim i bërë në vitin 2010 tregonte se “nuk ka asnjë studim shkencor që tregon mbi sasinë e sheqerit që duhet konsumuar në një dietë të ekuilibruar”. Ishte i njëjti përfundim ku kishte arritur “Food and drug administration” (FDA), agjencia amerikane për kontrollin e barnave dhe produkteve ushqimore, herën e fundit që ishte marrë me sheqerin në 1986-n. Sipas tyre nuk ekzistonin prova për rreziqet që kanoseshin kur sheqernat konsumoheshin përtej një kufiri të caktuar. Ajo që duhet të kemi parasysh, mbështet Walter Grinsmann, administrator i FDA-së dhe autori kryesor i raportit në vitin 1986, është se sheqeri dhe shurupi i misrit me përmbajtje të lartë fruktoze mund të jenë helmues, por çdo substancë tjetër mund të jetë e tillë nëse konsumohet në mënyra dhe sasi jo të zakonshme për qeniet njerëzore. Por pyetja që shtrohet prej kohësh është: cila dozë e bën të dëmshme një substancë të parrezikshme? Sa sheqer duhet të konsumojmë para se të bëhet i rrezikshëm? Kur Glinsmann dhe kolegët e tij të FDA-së vendosën që asnjë provë e bërë nuk tregonte rrezikshmërinë e sheqerit, u bazuan në një konsum mestar për person rreth 18 kilogramë në vit, përveç sasisë së marrë në mënyrë natyrale nga frutat dhe perimet. Kjo dozë, ekuivalente me 200 kalori sheqeri në ditë, d.m.th më pak sesa përmbajnë një kanoçe e gjysmë Coca-Cola apo dy gota lëng molle. Nëse vërtet do të konsumonim këtë sasi sheqeri të shtuar pjesa më e madhe e dietologëve, përfshi dhe Lustig do të ishte shumë e kënaqur. Por në fillim të viteve 2000, gjithmonë sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe ushqimit në Amerikë, konsumi i sheqerit kishte kaluar në 40 kilogramë në vit për person. Kjo rritje ka koinciduar me epideminë e obezitetit dhe diabetit, dy sëmundje këto që po bëhen gjithmonë e më vrasëse. Në 1980, një amerikan në shtatë të tillë ishte obez dhe thuajse 6 milionë ishin diabetikë. Në fillim të viteve 2000, kur konsumi i sheqeri arriti pikun maksimal, një e treta e amerikanëve ishte obeze dhe 14 milionë ishin diabetikë. Edhe pse nuk janë përfundimtare dhe të bazuara shkencërisht, prapë ka plot arsye për ta konsideruar sheqerin si helmin e bardhë që të vret ngadalë. Në fakt, sheqeri nuk është i dëmshëm në vetvete nëse konsumohet në sasi normale e të kontrollueshme (përafërsisht me 5-7% të kalorive të përditshme, ose më saktë nga 25 deri në 45 gramë). Por një dietë e pasur me sheqerna, sidomos kur ka në përbërje të saj një nga këto produkte industriale (këtu futen kokoshkat, kroasantët, si edhe pijet e gazuara që konsumojmë në jetën e përditshme), është në gjendje që të vërë në një provë shumë të vështirë trupin tonë, ashtu siç edhe kanë zbuluar shumë studime shkencore të kryera në vitet e fundit.

(http://globisot.org/sheqeri-helmi-i-embel/)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: